Krim e Ndëshkim në Kosovë

17/12/2015 Analysis 0 Comments

Kosova akuzoi Bashkimin Evropian të martën për nxitje të ekstremizmit në vendet e varfëra të Ballkanit, duke refuzuar për t’i lehtësuar rregullat e vizave për kosovarët në vitin 2016.

Kosova mbetet vendi i vetëm në Ballkan, qytetarët e të cilëve kanë nevojë për vizë për të udhëtuar në shumicën e vendeve të BE-së. Si çdo vit tjetër, qeveria iu kishte thënë qytetarëve se pritet një vendim i favorshëm këtë muaj dhe një fund i mundshëm i kërkesave për vitin e ardhshëm.

“Këto vonesa janë absurde dhe të qëllimshme, të cilat jo vetëm inkurajojnë ekstremizmin në vend, por edhe do të rrisin frustrimin në mesin e qytetarëve të Kosovës”, lexohet një qëndrim i shkruar nga Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm Hashim Thaçi.

Vendimi erdhi në kohën kur Kosova përballet me krizën më të rëndë politike që nga shpallja e pavarësisë nga Serbia në vitin 2008. Partitë e opozitës në tre muajt e fundit kanë hedhur gaz lotsjellës në çdo seancë parlamentare për të protestuar kundër një marrëveshje të ndërmjetësuar nga BE-ja e cila pretendon për të ndihmuar stabilizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. 13 deputetë të opozitës në vend deri më tani janë duke u mbajtur në paraburgim nën dyshimin e rrezikimit të sigurisë së përgjithshme.

Shtatë vjet pas shpalljes së pavarësisë Kosova ende nuk është një republikë e pavarur me të drejta të plota.

Përpjekja e BE-së për të ndikuar pozitivisht Kosovën është dobësuar ndjeshëm [në qoftë se ajo nuk ka dështuar plotësisht] nga fakti se disa prej zyrtarëve të saj të lartë në kuadër të ‘Misionit për Sundim të Ligjit’ – [EULEX-it], janë të gjetur në përfshirje në po të njëjtin krim të organizuar dhe korrupsion që ata kanë qenë të mandatuar për ta luftuar në përpjekjet e përbashkëta me institucionet vendore.

Një nga çështjet kryesore që sfidon procesin e liberalizimit të vizave në Kosovë, ka të bëjë me funksionimin e sistemit ligjor dhe pavarësinë e sistemit gjyqësor së bashku me luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe krijimin e gjykatës speciale për t’i gjykuar krimet e dyshuara të luftës në vend.

»Shtatë vjet pas shpalljes së pavarësisë Kosova ende nuk është një republikë e pavarur me të drejta të plota!« Vedat Xhymshiti

»Shtatë vjet pas shpalljes së pavarësisë Kosova ende nuk është një republikë e pavarur me të drejta të plota!« Vedat Xhymshiti

Kryeministri Isa Mustafa iu kishte premtuar qytetarëve të vendit se ai do të luftojë korrupsionin, pas themelit të qeverisë së vendit, në dhjetor 2014, por disa muaj më vonë, ai u gjet bashkëfajtorë në mesin e shumë rasteve të dyshuara, siç kanë raportuar mediat në vend. Zëvendësi i tij Hashim Thaçi, është akuzuar rëndë nga Këshilli i Evropës, për krim dhe përfshirjen e korrupsionit, duke shtuar edhe dyshimet për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, gjatë luftës së vitit 1999 kundër forcave serbe të Jugosllavisë. Shembulli i dyshuar ka të bëjë me “trafikimin e organeve”.

Opozita i ka bllokuar punimet e Kuvendit që kur parlamenti i vendit miratoi ngritjen e një gjykate të posaçme për krime lufte. Megjithatë, e gjithë kjo situatë duket të mos jetë siç paraqitet. Titujt arsyetues të opozitës pretendojnë për të përçarë marrëveshjet e Prishtinës me Beogradin dhe Podgoricën: që e para legjitimon ndarjen faktike të territorit të trazuar verior nga seperatistët e armatosur pro-Serbisë; dhe e dyta njeh legjitimitetin e një marrëveshjeje në mes të Beogradit, Podgoricës dhe Shkupit zyrtar në trekëndëshin e kufirit Kosovë, Mali i Zi dhe Maqedoni. Në të vërtetë këto marrëveshje nuk ishin protestuar nga ndonjë parti politike në kohën e nënshkrimit të tyre në vitin 2001, dhe as më vonë.

Prishtina dhe Beogradi kanë bërë disa marrëveshje të tjera të cilat nuk kanë qenë në interes të territorit shkëputur nga Jugosllavia, por opozita në Prishtinë nuk ka treguar ndonjë interes serioz për t’i kundërshtuar ato. Megjithatë, disa anëtarë të partive politike të themeluara nga kryekomandantët e luftës besohet të jetë objektiv i gjykatës speciale për krime të luftës.

Me sa duket udhëheqësia e gjerë politike në vend është e përfshirë thellë në krimin e organizuar dhe korrupsionin politik, kështu pothuajse është e pamundur të mendohet se vendi do të jetë në gjendje të afirmohet për t’i fituar të drejtat e lirisë së lëvizjes.

Xhavit Haliti, Azem Syla dhe Hashim Thaçi janë të akuzuar se kanë urdhëruar vrasjen e rivalëve të tyre politik brenda UÇK-së, ka pohuar një raport i detajuar nga gazeta britanike The Guardian. Raporti tutje tregon se derisa asnjë nga zyrtarët e UÇK-së nuk e kanë parë Thaçin apo ndihmësit e tij duke e ekzekutuar ndokend, dëshmitarët treguan se rivalët e Thaçit janë vrarë menjëherë pasi ai ose ndihmësit e tij i kishin kërcënuar ata me vdekje.

Në një analizë të krimit të organizuar në Kosovë i përgatitur nga shërbimi gjerman i inteligjencës, BND, dhe një raport konfidencial i kontraktuar nga ushtria gjermane, Bundeswehr, Thaçi, Ramush Haradinaj, Xhavit Haliti dhe Rexhep Selimi, janë të akuzuar për një përfshirje të zgjeruar në krimin e organizuar.

“Lojtarët kryesorë [përfshirë politikanët Haliti, Haradinaj dhe Thaçi] janë të përfshirë nga afër në ndërlidhjet midis politikës, biznesit, dhe strukturave të krimit të organizuar në Kosovë,” shkruan gazeta gjermane Die Welt duke cituar BND-në.

Sipas kabllove diplomatike të rrjedhura nga WikiLeaks dhe dosjeve të Inteligjencës së NATO-s të rrjedhura në vitin 2011, përhapja gjeografike e bandave kriminale të Kosovës është e vendosur së bashku me lidhjet e supozuara familjare dhe lidhjet e biznesit, duke përfshirë shumicën e anëtarëve të partisë në pushtet PDK nga Hashim Thaçi, si dhe partitë e tjera politike, siç janë ajo e AAK-së nga Ramush Haradinaj dhe ‘Vetëvendosje e kryesuar nga Albin Kurti, në mesin e disa grupeve të tjera të vogla që veprojnë si mbulesë e klaneve të krimit me urdhër të “Kanunit”. Të shkëputur nga krimi, nuk janë as partia ‘Nisma për Kosovën’ të kryesuar nga ish ministri i MTPT-së Famir Limaj në qeverinë Thaçi, i cili është bërë shumë i famshëm me aferën ‘Autostrada’. Zt. Limaj, është pjesë e nismës opozitare për ndryshime në administratën qendrore të sëmurë nga krimi në Kosovë, por ndryshime për çfarë?!

Pra, dosjet e NATO-s dhe pretendimet e inteligjencës gjermane të cilat ‘çuditërisht’ nuk janë raportuar në shtypin e Kosovës [në atë kohë – 2011!], tregojnë se Shtetet e Bashkuara dhe disa prej fuqive të tjera perëndimore që mbështesin qeverinë e Kosovës, kanë pasur njohuri të gjerë [për disa vjet!] të lidhjeve kriminale të ish kreut të kryengritësve dhe njëherit kreut të PDK-së Hashim Thaçi, dhe thuajse gjithë strukturës së partive politike në vend, pa përjashtim!

Krimi i organizuar ka ndërtuar edhe një traditë të shtypjes së të drejtave dhe lirive të medias në vend. Dhuna ndaj lirisë së medias ishte shpërfaqur herët rreth ‘këmbëve’ të kreut të PDK-së Hashim Thaçi, i cili njihet me nofkën e luftës si Gjarpëri. Në qershor të vitit 1997, në një incident që shumë individ në lëvizjen guerile e identifikojnë si një ‘ogurzi’, një gazetar shqiptar kosovar i cili kishte lidhje të ngushta me lëvizjen u gjet i vdekur në banesën e tij në Tiranë, “fytyra e tij ishte shëmtuar nga therjet e përsëritura me një kaçavidë dhe në fund të prapanicës i ishte vënë një shishe e thyer” raporton The New York Times.

Reporteri Ali Uka, ishte përkrahës i lëvizjes kryengritëse, por ai ishte gjithashtu mjaftueshëm i pavarur sa për të kritikuar kryengritjen. Në kohën e vdekjes së tij, ai po bashkëjetonte në një apartament me Hashim Thaçin.

Siç e lexuam më lart, udhëheqja politike e vendit është e përfshirë edhe në krim politik edhe korrupsion, e për ta luftuar këtë do të thotë të futet prapa grilave thuajse i gjithë spektri i gjerë politik në vend por, në të vërtetë duket e pamundur, pasi asnjë nga forcat politike në vend nuk do të kenë vullnet për të ndjekur penalisht anëtarët e tyre të krysisë të përfshirë në krim. Me këtë realitet nuk do të ketë liberalizim të vizave për qytetarët e vendit, përveç nëse do të krijohej një klasë politike e atyre që nuk janë të përfshirë në krim, por edhe nëse do të ketë ndonjë përpjekje të tillë, unë kam frikë se do të ketë ndërhyrje parandaluese nga lagjja e famshme kryeqytetit, ajo në Dragodan, sepse themelimi i një udhëheqësie të pakorruptuar politike në vend, mbase do të rrezikonte ndikimin e tyre politik.

Megjithatë, kur bëhet fjalë për të mbrojtur një interes të ngushtë politik lajmi i vërtetë nuk është krimi dhe korrupsioni, autoritetet e Kosovës veprojnë pa hezitim. Autoritetet në vend kanë arrestuar politikanët, por në mënyrë të paligjshme. Kjo ka ndodhur duke arrestuar një të tretën e opozitës parlamentare dhe udhëheqësin e saj kryesor, veprim ky i paparë në shtetet demokratike të Evropës pas vitit 1945, dhe askush nga demokracitë Perëndimore në Dragodan, nuk është ankuar, përveq opozitës dhe disa medie.

Politikanët janë të pajisur me pasaporta diplomatike, dhe për ta liria e lëvizjes nuk është një shqetësim. Ata janë gjithashtu të pasur, sidomos duke gjykuar CV-të e tyre kriminale. Pyetja është, pse BE-ja po ua ndalon qytetarëve lirinë e lëvizjes, por jo kriminelëve – një pyetje që më së miri do t’i përgjigjej vetë BE, qëndrimi i tyre qëndrim ka qenë një mbjellje, fuqizim dhe dhënie e mundësisë për të jetuar në një parajsë për të korruptuarit, për ata që janë përgjegjës për këto veprime pa u ndëshkuar në pragun e derës së kontinentit evropian.


Ky editorial është shkruar ekskluzivisht për Gazetën Express në Prishtinë. Editoriali është botuar edhe tek THEFrontliner.net