Nga Shkretëtirat e Lindjes së Mesme në Thatësirat e Ballkanit

02/09/2015 Analysis 0 Comments

Konflikti brutal sirian i cili u shpërnda në rajonin e Lindjes së Mesme pas katër vjetëve ka ndikuar të shkaktojë një krizë serioze në tokën evropiane. Duke ndjekur ëndrrën për një jetë më të mirë në perëndimin e Evropës, refugjatët janë ndeshur me brutalitetin në kufirin mes Serbisë e Maqedonisë.

Skena të dëshpëruara po vijnë nga pikat kufitare të Serbisë dhe IRJ-Maqedonisë. Forcat maqedonase të sigurisë kanë tronditur refugjatët e Lindjes së Mesme, duke ushtruar dhunë mbi ta gjatë një përpjekjeje sporadike për të frenuar rrjedhjen e tyre. Refugjatët shkojnë drejt veriut për të arritur në vendet e Evropës.

Organizata për të Drejtat dhe Liritë Njerëzore me seli në Gjenevë “Human Rights Watch” ka akuzuar zyrtarisht IRJ të Maqedonisë, duke thënë se shteti ballkanik duhet t’i japë fund dhunës kundër refugjatëve.

“Autoritetet duhet të hetojnë përdorimin e granatave tymuese, gazit lotsjellës dhe plumbave të gomës më 21 gusht 2015,” tha HRW një ditë pasi qeveria e Maqedonisë shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në një përpjekje për ta mbyllur kufirin e saj.

Por refugjatët nuk po trajtohen mirë edhe në anën tjetër të kufirit, në Serbi. Agon Ajeti, i cili është një aktivist i Zyrës për Rini në Preshevë, tha për Gazetën Jeta në Kosovë se kanë nisur aksionin “Rinia për Refugjatë”, për të ndihmuar të ardhurit nga vendet e lindjes. Ai thotë se përveç arsyeve njerëzore që e kishin shtyrë atë për të filluar aktivitetin, ishte edhe e kaluara e shqiptarëve që u desh të braktisin Luginën për shkak të konflikt të armatosur midis forcave serbe të Jugosllavisë dhe kryengritësve shqiptarë. Tani vetëm 16 vjet më pas, ai ka për të ndihmuar njerëz të tjerë për të ecur nëpër arat -në të cilat ai dhe familja e tij mund të kenë lënë gjurmë prapa. Familja e tij kishte ikur për Maqedoni, ndërsa refugjatët e tashëm bëjnë rrugëtimin e kundërt duke synuar daljen nga Maqedonia në Serbi dhe nga ky vend për të ikur drejt perëndimit të Evropës së zhvilluar ekonomikisht.

“Në tre muajt e fundit, unë kam qenë dëshmitar dhe kam jetuar me refugjatët e pranishëm duke kujtuar të kaluarën time. Unë e di se çfarë do të thotë të qenët në lëkurën e tyre, unë e kam ecur këtë rrugë jo shumë kohë më parë,” tha ai për Gazetën Jeta në Kosovë.

Vetëm në fundjavën që po e lëmë pas, UNHCR-ja ka transportuar deri në 15 mijë refugjatë me autobusë nga fshati Miratovc, i cili shtrihet në kufi me Maqedoninë, deri në pikën e grumbullimit të refugjatëve në Preshevë, thotë Agon Ajeti. “Ndërsa brenda 30 orëve ne kemi arritur të dërgojmë 7,200 refugjatë drejt Beogradit”, shtoi ai.

Një kamp i përkohshëm për refugjatët është ngritur nga ushtria serbe përgjatë kufirit me Maqedoninë. Ministri serb i Mbrojtjes Bratislav Gasiq e kishte vizituar qendrën dhe tha se rreth 5,000 refugjatë ishin aktualisht në kamp dhe në strehën e Preshevës, raporton Balkan Insight. Vizita e Ministrit ishte përcjellë nga mediet serbe, por Agon Ajeti të premten e kaluar tha: “Askush nuk është i lejuar për të hyrë aty. Ne mund të shkojmë vetëm për të ofruar ushqim dhe ujë. Unë mendoj se arsyeja pse shteti serb preferon që ta mbajmë këtë kamp larg nga syri i publikut, ka të bëjë me atë se kampi nuk i plotëson kushtet minimale për jetë”. Ai shprehet kritik ndaj faktit se aty nuk ka tualet apo ndonjë formë të furnizimit me ujë, apo qoftë edhe ndonjë dyshek, duke shprehur më tej shqetësimin në lidhje me këtë çështje dhe bëri thirrje që kjo situatë të zgjidhet sa më shpejt të jetë e mundur.

Dy grupe radikale serbe “Naši” [e Jona] dhe “Srbski Obraz”, kishin paralajmëruar mbajtjen e një proteste, pasi thanë se duhej të denonconin atë që e quajtën “një plan të BE-së” për t’i vendosur 400,000 refugjatë në Serbi. Por, kjo përpjekje kishte marrë një përgjigje të menjëhershme nga Ministria e Brendshme.

“Ministria e Brendshme nuk do të lejojë ndonjë mbledhje kundër emigrantëve dhe njerëzve që kalojnë përmes Serbisë, të cilët ishin të detyruar ta bëjnë këtë për shkak të kushteve të vështira ose të luftës në vendin e tyre,” deklaroi Nebojsa Stefanoviq, i cili u përshëndet nga grupet e të drejtave civile, të cilat e kanë mirëpritur vendimin e qeverisë serbe për të ndaluar tubimin e sotëm të krahut të djathtë kundër emigrantëve, raporton Balkan Insight.

Pika më e afërt kufitare e Preshevës me Maqedoninë, ka pranuar numrin më të madh të refugjatëve në rajon, të cilët kryesisht vijnë nga lufta në Siri, konfirmuan autoritetet lokale të shtetit serb në Preshevë. Presheva në Serbi dhe Gjevgjelia në Maqedoni, janë dy pikat kryesore nëpër të cilat kalojnë refugjatët.

“Shpesh ndodh që refugjatët të frustrohen si rezultat i progresit shumë të ngadaltë të administratës për të përpunuar procedurën e legjitimimit të tyre. Ndërsa dielli djegte lëkurën e refugjatëve, ata të pashpresë brohorisnin të zemëruar, kjo jo pak herë ka ndezur xixa të dhunës të cilat janë të ndërmarra nga policia serbe për të kontrolluar masën e revoltuar të refugjatëve,” i tha Gazetës Jeta në Kosovë Valon Arifi, një aktivist i të drejtave të njeriut dhe anëtar i Aksionit të Veprimit Rinor për Refugjatët në Preshevë.

Muri hungarez  që pamundëson realizmin e ëndrrës 

Njerëz të ardhur nga Siria që janë të vendosur në kufirin Serbi-Maqedoni synojnë daljen në vende e zhvilluara perëndimore nëpërmjet Hungarisë. Por policia në Hungari thuhet se ka hedhur gaz lotsjellës të mërkurën e shkuar, pasi refugjatët kishin refuzuar të jepnin shenjat e gishtërinjve në një qendër pritjeje. Dëshmi kjo që refugjatët nuk i besojnë shtetit hungarez për trajtim korrekt të të drejtave të tyre si azilkërkues, pasi që sipas Traktatit të Dublinit, kërkesa për azil do të procedohet vetëm në vendin e parë evropian ku azilkërkuesi do t’i ketë lënë shenjat e gishtërinjve.

Të paktën 200 refugjatë ishin në qendër të pritjes në zonën jugore kufitare të Röszke kur gazi lotsjellës ishte shkarkuar mbi ta, raporton Sky News. Hungaria ka thënë se mund të përdorë ushtrinë e vet për të siguruar kufirin e saj ku një numër në rritje i refugjatëve, shumica prej të cilëve të ikur të luftës civile në Siri, janë duke u përpjekur të kalojnë nëpërmjet Hungarisë për në vendet e BE-së. Qeveria hungareze njoftoi të mërkurën se do t’i dërgonte rreth 2 mijë “gjuetarë kufitarë” për të frenuar rrjedhën e numrit rekord të njerëzve që hyjnë nga Serbia, përgjatë vijës kufitare me të cilën siç dokumenton Euronews Hungaria ka ngritur një gardh me gjemba. Ky gardh i ndërtuar me tela të mprehtë është i shtrirë në një gjatësi prej 177 kilometrave dhe ky shtet synon që të mbajë jashtë refugjatët e ardhura nga Lindja. Llogaritet se vetëm Siria ka deri tani mbi 4 milionë njerëz të zhvendosur nëpër botë.

Refugjatët e bëjnë këtë udhëtim deri në Hungari pas marrjes së lejeqëndrimit të përkohshëm në Serbi, të cilit i skadon afati pas 72 orësh dhe pastaj atyre u kërkohet ose të regjistrohen si azilkërkues apo të largohen nga Serbia, e në shumicën e rasteve ata vendosin të largohen, pasi që e dyshojnë se mund të kenë një jetë përparimtare në vendin ballkanik i cili  aspiron t’i bashkohet BE-së.

Përveç veprimit të të rinjve për refugjatë në Luginën e Preshevës, atje janë të përkushtuara edhe Kryqi i Kuq i Serbisë dhe Komisioni i OKB-së për Refugjatë UNHCR që janë bartës për organizimin logjistik të menaxhimit të situatës me refugjatët, duke e organizuar transportimin e tyre me autobus nga pikat kufitare në pikat e grumbullimit në Preshevë dhe nga aty në drejtim të Beogradit.

Kryqi i Kuq i Serbisë intensivisht ofron lloje të ndryshme të asistencës ndaj refugjatëve që kalojnë kufirin maqedonas duke arritur në Preshevë çdo ditë dhe gjatë gjithë ditës, citohet të ketë thënë për Agjencinë Serbe të Lajmeve “Tanjug”, sekretarja e përgjithshme e Kryqit të Kuq të Serbisë, Vesna Milenoviq, transmeton B92.

Ndihma e Komisionit të OKB-së për Refugjatë ndaj Serbisë në kohën kur numri i refugjatëve po vazhdon të rritet, ka arritur shifrën deri në 1 milion euro dhe përpjekjet janë për të ngritur mbështetjen financiare deri në 5 milionë euro, shkruan “B92”, duke cituar zyrtarët e UNHCR-së.

Besohet se rreth 50 mijë refugjatë kanë lënë gjurmët e tyre në arat e thatësirës së Serbisë Jugore duke vazhduar shtegtimin e tyre. Rreth 70% e tyre janë të ardhur nga lufta civile e Sirisë, ndërsa të tjerët nga Iraku, Afganistani dhe Pakistani, i ka treguar Gazetës Jeta në Kosovë Agon Ajeti, nga Aksioni Rinor për Refugjatë në Preshevë.

Por adresat ku synojnë të arrijnë refugjatët nuk janë shumë mirëpritëse për t’i lejuar që të nisin një jetë të re.

Gjermania është një objektiv për një përqindje të lartë të qindra e mijëra njerëzve që u përpoqën për të arritur tokën evropiane në këtë epokë që tanimë është emëruar si kriza më e rëndë e refugjatëve në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. Gjermania tanimë ka vënë në funksion ushtrinë e saj, por jo për t’i ruajtur kufijtë, por për t’i siguruar refugjatët dhe për të ngritur strehimore të përkohshme me kushte të mjaftueshme për jetesë.


»foto e kopertinës: Refugjatët e Lindjes së Mesme në një mjet transportues për udhëtarë, derisa po presin të nisen për Beograd nga Lugina e Preshevës« ©Krenar Halimi  | Artikulli është hartuar ekskluzivisht për Gazetën Jeta në Kosovë.