Kryetarja Re-Twitton Politikanët

28/04/2013 Analysis, Editorial

Liridona Lluka twitton për punën dhe modestinë që e bëjnë Blerand Stavilecin të madh si dhe për lumturinë e saj që për asnjë sekondë nuk mendon si Lëvizja Vetëvendosje…

Kuvendi zgjedhor i Asociacionit të Gazetarëve Profesionistë të Kosovës, më shtatë prill, pati zgjedhur kryetaren dhe gjashtë anëtarët e bordit të cilët duhet ta drejtojnë këtë asociacion gjatë dy viteve të ardhshme 2013-2015.

»Gazetarët duhet të jenë të durueshëm dhe të pavarur në raport me qëndrimet e tyre me zhvillimet politike në vend.« Vedat Xhymshiti

»Gazetarët duhet të jenë të durueshëm dhe të pavarur në raport me qëndrimet e tyre me zhvillimet politike në vend.« Vedat Xhymshiti

Votimi ishte i fshehtë. Radio-raportuesja e kompanisë “Dukagjini” Liridona Lluka u zgjodh të drejtonte këtë organizatë e cila, siç kemi qenë dëshmitarë, pati humbur besueshmërinë e një mekanizmi që mbron dhe mbështet gazetarët pasi po përfundonte në një ri-prodhuese komunikatash “reaguese”. Me të drejtë, përpara votimit, shumë kolegë kishin shprehur pakënaqësi edhe në lidhje me cilësinë e raportit financiar edhe me atë të statutit të organizatës që, nga dembelia, madje ende “njihte” pushtetin e UNMIK-ut.

Ky asociacion po ashtu ende nuk ka ndërtuar një kod etik në raport me ligjet kushtetuese të vendit dhe, të paktën, as nuk ka botuar ndonjë doracak me përmbledhje të vendimeve të Këshillit të Mediave të Shkruara të cilat do të mund t’u shërbenin gazetarëve si një lloj kodi.

Ndoshta shumë gazetarë presin që ky trend të ndryshojë dhe të shërbehen edhe me të mira tjera nga asociacioni, por shenjat e para nuk janë aq inkurajuese.

Madje, me një kërkim të thjeshtë në twitter, nëse shihen postimet e dhjetë ditëve të fundit, kryetarja LiridonaLluka më shumë duket veçanërisht e interesuar në politikë.

Në një twittim të saj për Blerand Stavilecin, ministrin e bujqësisë, shkruhet: “Dikë e bën të madh emri e dikë familja, mirëpo juve ju bën të madh puna dhe modestia. Andaj vazhdoni, pa menduar se sa ta dinë”, shkruan në twittimin e 24 prillit.

Në një rast tjetër ajo ri-twitton një numër shënimesh të ministrit të jashtëm Enver Hoxhaj derisa ai flet për marrëveshjen e 19 prillit në Bruksel dhe “nguc” kryeministrin serb Ivica Daçiq e orientimet “kundër euro-atlantike” të qeverisë së tij.

Ri-twittimet e saj përfshijnë edhe nënshkrime librezash partiake nga zëvendëskryetari i PDK-së Kadri Veseli dhe veprime nga emra tjerë të kësaj partie.

Në kohën e marrëveshjes së Brukselit, ajo poston foton Thaçi-Ashton dhe shënon: “Momenti i rëndësishëm nënshkrimi i marrëveshjes. Jam e lumtur që për asnjë sekondë nuk mendoj si Lëvizja Vetëvendosje”.

Gazetarët duhet të jenë të durueshëm dhe të pavarur në raport me qëndrimet e tyre me zhvillimet politike në vend. Veçanërisht kjo vlen për dikë që është në krye të një organizate që i përfaqëson ata.

Nëse udhëheqja e re nuk do ta forcojë AGPK-në por do ta dëmtojë atë edhe më tej, tani edhe përmes politikës, a është ndoshta më mirë të konsiderohen që tash zgjedhjet e parakohshme?


Në fotografinë e kopertinës duket një nga dëshmitë e huazuar nga llogaria e cicërimave të kryetares së AGPK-së Liridona Lluka. Ky editorial është shkruar ekskluzivisht për Gazetën JNK në Prishtinë.