Aleppo dhe Revolucionari i Panjohur

11/06/2012 Journal

»Gazetari i vetëm shqiptar në Siri, Vedat Xhymshiti, mbërriti deri në qytetin Aleppo ku i pa revolucionarët derisa përgatitnin parullat dhe flamujt për protesta. Kur kishte dalë të fotografonte protestën dhe regjimi kishte ndërhyrë, një revolucionar e kishte fshehur në bodrumin e një ndërtese. Në Siri ai ka parë frikën që Qeveria e ka nga qytetarët e saj« — Gazeta Jeta në Kosovë

Është mëngjes, e premte, 8 qershor. Ne duhet të nisemi për udhëtimin e shumëpritur dhe të gjatë nga qyteti verior Mare drejt provincës veri-perëndimore të Republikës Arabe të Sirisë, Aleppo.

Duke u bashkërenduar me revolucionarët sirianë, duhej të hipnim në një mini-bus, i cili ishte organizuar vetëm për mua dhe dy miqtë e mi, me të cilët isha në detyrë për magazinën gjermane “Spiegel”.

Mini-busi mund të transportonte tridhjetë (30) njerëz. Njëzetë e shtatë të tjerë duhej t’i gjenim doemos për të përmbushur rregullin e transportit normal, për të arsyetuar udhëtimin e këtij karvani tridhjetëkilometërsh, mespërmes një serie pikash kontrolli të vendosura nga ushtria shtetërore e Republikës Arabe të Sirisë. Ne të tre, e për ne u gjetën edhe njëzet e dy “statistë”, duhej të uleshim në ulëse jo të afërta me njëri-tjetrin. Unë duhej të ulesha në fund të busit, miku im gjerman në mes si dhe siriani, i cili ishte në detyrë si përkthyes yni, duhej të luante biletashitësin krejtësisht në fillim të karrigeve.

Për dallim nga ditët tjera, që nga mesi i muajit maj që kur gjendem këtu, nuk kishim njerëz të armatosur të cilët na u bënë mburojë jona jo në pak raste kur ushtria e presidentit Bashar Al-Assad na sulmonte në vendet ku ishim të strehuar, por njerëz që gjithsesi na premtonin se do të na mbronin me çdo kusht në rast se ngjan që, siç thoshin ata (aktivistët), të provokohemi nga autoritetet e vendit për të verifikuar identitetin e njërit prej ne treve që kishim hyrë ilegalisht në Siri.

Kolegu im nga 'Der Spiegel', Christoph Reuter, duke hartuar reportazhin për redaksinë në Hamburg në mbrëmjen që u kthyem nga Aleppo. [© Vedat Xhymshiti]

Kolegu im nga ‘Der Spiegel’, Christoph Reuter, duke hartuar reportazhin për redaksinë në Hamburg në mbrëmjen që u kthyem nga Aleppo. [© Vedat Xhymshiti]

Para se të niseshim drejt këtij rrugëtimi, diskutuam bashkë, për atë që do të mund të na ndodhte nëse na ndalon ushtria dhe kërkon identifikimin tonë. Ne e hëngrëm, e pati puna jonë, pra, potencialisht do të ekzekutoheshim, ose do të burgoseshim dhe torturoheshim duke na mbajtur në burg në kohë të pacaktuar. Por, të vendosur për të vizituar qytetin e pashkelur ndonjëherë nga mediat të huaja që kur trazirat u shfaqën, u nisëm.

Deri në qytetin industrial arritëm mirë. Rruga ishte përplot gurë dhe gropa. Kjo për shkak të bombardimeve si dhe makinerive të rënda ushtarake që kishin shkelur autostradën, e të cilat kishin bombarduar fshatrat përreth. Hyrja e qytetit të Aleppo’s ishte një pamje e qetë. Në dukje të parë nuk shihje diçka të jashtëzakonshme, njerëzit, kryesisht burra dhe gra të moshuara, po ecnin rrugëve të gurta përskaj ndërtesave shtatëkatëshe të cilat ishin thuajse të gjitha prej betoni.

Në ballkonet e tyre shihje përplot rroba të cilat ishin varur në tel për tu tharë. Aleppo dukej qetë sepse revolucionarët po punonin disa në punëtori për t’i përgatitur sloganet, parullat dhe flamujt e revolucionit, e disa ishin të zënë me organizimin dhe verifikimin e situatës së sigurisë, ngase ne kishim arritur para orës 12.45, atëherë kur duhej të falej namazi i së premtes. Gjithsesi, tutje në brendi të qytetit, filluam të dëgjonim zërat e hoxhallarëve që mbanin fjalimin e së premtes, duke lexuar Kur’an para besimtarëve. Nuk rekomandohej t’i vizitonim për arsye të sigurisë.

Aktivistët revolucionarë zbrisnin nga dy ose nga tre, në nën-stacione të ndryshme, kryesisht në ato që gjendeshin në afërsi të xhamive. Ata duhej të bashkoheshin me turma të ndryshme njerëzish të cilët do të nisnin protestën menjëherë pas lutjeve të së premtes. Ndërkohë ne u strehuam në një shtëpi private me një pritje jashtëzakonisht të ngrohtë, pasi që revolucionarët e Aleppo’s nuk ishin vizituar nga gazetarë të huaj që nga tetori i vitit të kaluar. Por dorën në zemër sirianët edhe janë popull që ja vlen ti takosh. Janë njërëzisht të mirë.

“Askush s’po merr guximin të na vizitojë, ju ndihmoftë Zoti që keni ardhur të raportoni për përjetimet tona”, tha një nënë nga kuzhina e cila, sipas rregullave islamike, nuk duhej të na takonte. Thënien e saj na e përktheu miku ynë që përkthente për ne. Mëngjesin e hëngrëm aty. Qyteti Aleppo, ku më herët po dëgjohej vetëm zhurma e zërave të hoxhallarëve, tanimë ishte mbushur nga studentët dhe qytetarët e kësaj province të cilët kishin filluar të marshonin nga të gjitha xhamitë drejt qendrës kryesore të qytetit, për të manifestuar pakënaqësitë e tyre ndaj sistemit politik të vendit, i cili për më shumë se një vit po vret qytetarë të pafajshëm gra, fëmijë, burra dhe djem të rinj e të pa-armatosur, duke mos kursyer as gazetarët e huaj, të cilët vijnë për të treguar atë që po ndodhë këtu.

Koha për të lëvizur. Duhej të dilnim nga shtëpia për t’u fshehur në kulmin e një ndërtese ku protesta supozohej se do të zhvillohej, për shkak se agjentët sekretë të sigurimit shtetëror të quajtur “SHABIHA” do të mund të na shihnin dhe si rrjedhojë potencialet ishin të jashtëzakonshme që të bëheshim cak i armëve të tyre ose të provonin për të na arrestuar, gjë që do të rrezikonte shumë jetë të aktivistëve revolucionarë.

Ne u vendosëm në një ndërtesë dritarja e së cilës do të ishte dritarja jonë e filmimeve, por për fatin tonë të keq, protestuesit ishin parandaluar të marshonin në atë drejtim nga forcat e shumta policore të cilët mbanin në duar armë të gjata të llojit AK47, e të cilët padyshim që gjuanin në drejtim të protestuesve.

Tani për ne më nuk kishte dritare të informimit. Ishte koha të merrnim një vendim dhe lëvizëm nga ndërtesa drejt turmave ani pse po i dilnim përballë një rreziku serioz. Zbritëm nga ndërtesa e gurit. Aty një valë protestuesish na vërshoi duke brohoritur dhe alarmuar qytetarët “ikni, ikni, ikni se SHABIHA”. U bë lëmsh. Ne të tretë e humbëm njëri-tjetrin, mua më kapi përdore një nga revolucionarët dhe vazhdova vrapit bashkë me të. Një makinë xhip me dyert e gjelbra në të cilën shkruante “POLICE” po na ndiqte pas dhe prej saj disa njerëz me rroba civile të armatosur po gjuanin breshëri plumbash. Unë isha në një krizë të tmerrshme të momentit, të fotografoj apo të vazhdoj me vrapin, por edhe sikur do të bëja atë ‘budallallëk’ në atë moment kritik, revolucionari i cili më kishte kapur për dore nuk më lëshonte duke më tërhequr në rrugët e panjohura të Aleppos.

Në një moment ne u ndamë nga turma protestuese, u futëm në një rrugicë, makina e policisë kaloi. Menduam se shpëtuam, por ata u kthyen. Rrugica nuk kishte dalje. Unë thjesht kisha një besim në vetën time se do të jetoj për ta rrëfyer tregimin. Nuk ishte dita e vdekjes. Revolucionari i panjohur më tërhoqi për dore duke u futur shkallëve të podrumit të një ndërtese, në të cilin kishte plot shkarpa të hekurta, aty ai më mbuloi mua dhe vetën e tij me kapaket e makinerive të ndryshme të kuzhinës që ishin hedhur aty e që i gjente, dhe më tha: “Shhhhh….!!!”; ehh, këtë po e kuptoja tani.

Policët kaluan përskaj ndërtesës, ata komunikonin në gjuhën arabe. Nuk ja kisha idenë, por nga ngjyra e zërit kuptohej se ishin të nervozuar. Qëndruam në atë vend për më shumë se një orë, ndërkohë miku im revolucionar më kërkoi të rrija aty, derisa ai doli për të shikuar nëse kishte diçka në lagje.

Një qetësi dhe rrëqethje po më përshkonte trupin, qetësi që më bëhej se shtrihej në tërë lagjen. Aty nuk kishte drita, ishte bërë errësirë që të fuste trishtimin. Në ato momente telefoni im cingëroi duke më tmerruar. Ishte reporteri gjerman, duke dashur të dinte nga jam. I thash nuk e di, jam në një podrum, po pres dikë të vijë të më marrë. Derisa po flisja me të, revolucionari u kthye, dhe ja kalova telefonin të fliste me reporterin gjerman, pasi që ky fliste arabishten. Ata dy u kuptuan se ku do të takoheshim. Në lëvizje e sipër nga rrugica, përsëri hasëm një turmë protestuesish. Nuk durova më, fillova të fotografojë, por kuptohet duke ikur njëkohësisht. Tek një xhami në qytet, aty arriti një makinë e panjohur në të cilën duhej të hyja së bashku me shokun tim të ditës; revolucionarin shpëtimtar.

Ata më sorollatën në pika të ndryshme të qytetit për të shikuar mundësitë e fotografimit, unë arrita t’i dokumentoj disa pamje, por asnjëherë ato të cilat i kam parë dhe përjetuar me sytë dhe emocionet e mia. Çfarë është më interesantja, unë pashë se qeveria po trishtohej nga qytetarët e vetë. Kjo dukej në sytë e policisë, në pikat e kontrollit përmes të cilave po kalonim. Edhe qytetarët e këtij vendi e shikonin qeverinë njëjtë, por për dallim prej saj, ata nuk kishin frikë. Tanimë ata shpesh nuk e shohin problematike edhe nëse do të vdesin. Të vetëdijshëm se mund të vriten nga autoritetet e vendit, ata po protestojnë përditë, pandalshëm.

Krejtësisht në mbrëmje arrita të takohesha përsëri me dy bashkëpunëtorët e mi në një protestë të pas orës nëntë (9, mbrëmje) e cila zgjati jo më shumë se një orë, pasi që “SHABIHA”-t sulmuan turmën e protestuesve me shkopinj elektrikë dhe turma u shpërnda.

U raportua për protestues të lënduar, por verifikimi i këtyre informacioneve ka qenë dhe mbetet jashtëzakonisht i vështirë, duke qenë se edhe gazetarët janë cak i armëve të pushtetit të presidentit Bashar Al-Assad.

As revolucionarin e panjohur nuk arrita ta takoj më, ai u zhduk diku në turmën e bashkëveprimtarëve të tij.


Në demonstratat e të premteve në Alepo, studentët hedhin gurë dhe brohorasin parulla anti-qeveritare, ndërsa forcat siriane të sigurimit të shtetit duke mbajtur armë të tilla si AK47, shtiejnë në ajër me qëllim për të shpërndarë protestuesit sirianë. Protesta e 8 qershorit përfundoi brenda dy orësh, thuhet se ka pasur disa protestues të plagosur, por në mbrëmje nuk kishte raportime nëse ka pasur ndonjë viktimë. [Foto: Vedat Xhymshiti, për Der Spiegel]